13 mijë pako me vota të diasporës, 605 nga Suhareka
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se gjatë ditës së martë dhe të mërkurë janë tërhequr mbi 13,000 pako të supozuara me fletëvotime nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme të botës.
Foto: Ilustrim
Të enjten, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka filluar procesi i vlerësimit dhe verifikimit të pakove të supozuara me fletëvotime, të cilat i përkasin votimit me postë nga jashtë Kosovës për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të 18 komunave.
SuharekaOnline ka mësuar se votuesit nga Suhareka që kanë ushtruar të drejtën e votës nga diaspora kanë dërguar gjithsej 605 pako të vlefshme. Sipas të njëjtave burime, këto pako pritet të numërohen nesër, pas përfundimit të verifikimit teknik nga QNR.
Me numërimin e votave me postë, pritet të kompletohet edhe pjesa përfundimtare e rezultatit të balotazhit për komunat përkatëse, ndërsa SuharekaOnline do të vazhdojë të raportojë në kohë reale për çdo zhvillim.