Dragash, komuna koordinohet me gjuetarët për sigurinë e qytetarëve nga arinjtë

13.11.2025

Pas shqetësimeve të banorëve të fshatit Bellobrad, qytetit të Dragashit dhe disa fshatrave të tjera për paraqitjen e shpeshtë të arinjve në rrugë dhe oborre shtëpish, kryetari i Komunës së Dragashit zhvilloi sot një takim me kryetarin e Shoqatës së Gjuetarëve “Divokoza”, Shrif Sulejmani.

Gjatë takimit u diskutua situata e krijuar dhe masat që duhet ndërmarrë për të garantuar sigurinë e qytetarëve, duke theksuar nevojën për veprime të kujdesshme dhe të koordinuara me institucionet përkatëse. Qëllimi është të parandalohen incidentet e mundshme dhe të ruhet ekuilibri natyror, pasi ariu është specie e mbrojtur.

Është vendosur që Shoqata e Gjuetarëve, në bashkëpunim me autoritetet komunale, të monitorojë situatën në terren dhe të raportojë çdo rast të paraqitjes së arinjve në zonat e banuara, si dhe të ndërmarrë masat e nevojshme brenda kompetencave ligjore.

Kryetari i komunës falënderoi përfaqësuesit e shoqatës për gatishmërinë për të kontribuar në sigurinë e qytetarëve, edhe përkundër kufizimeve ligjore.

Ndërkaq, ministritë përkatëse janë ftuar të ofrojnë mbështetje institucionale, ndërsa qytetarëve u bëhet apel të tregojnë kujdes, të mos afrohen apo ushqejnë arinjtë dhe të njoftojnë menjëherë autoritetet në rast të pranisë së tyre pranë vendbanimeve.

Komuna rekomandon që fëmijët, veçanërisht ata që jetojnë në zonat ku janë parë arinj, të shoqërohen në shkollë nga prindërit ose anëtarët e familjes.

Autoritetet komunale kanë theksuar se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet qytetarëve, institucioneve të sigurisë dhe autoriteteve kompetente është kyç për menaxhimin efektiv të kësaj situate dhe për të ruajtur biodiversitetin e pasur të rajonit malor.