Vjedhje, dhunë në familje, kanosje dhe përdorim i armëve – Prokuroria e Prizrenit ngrit aktakuza kundër 16 të dyshuarve

11.11.2025

Prokuroria Themelore në Prizren ka kryer një sërë veprimesh ligjore gjatë periudhës së fundit, duke ndaluar disa persona dhe ngritur aktakuza për vepra të ndryshme penale.

Sipas të dhënave nga sistemi prokurorial, Departamenti i Përgjithshëm ka ndaluar për 48 orë tre persona të dyshuar në dy raste të ndara. Dy prej tyre janë ndaluar për veprat penale “Kanosja” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”, ndërsa një tjetër person është ndaluar për veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Përveç ndalimeve, Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur gjithsej katërmbëdhjetë aktakuza kundër gjashtëmbëdhjetë personave për vepra të ndryshme penale. Mes tyre, tri aktakuza janë ngritur për raste të dhunës në familje, dy aktakuza për vjedhje dhe dy për kanosje. Një aktakuzë për sulm është ngritur kundër tre personave, ndërsa një tjetër për vjedhjen e shërbimeve është paraqitur kundër një personi.

Prokuroria ka veçuar gjithashtu raste të veprave penale që lidhen me armë dhe sigurinë, ku një person akuzohet për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, si dhe për përdorimin e armës apo mjeteve të rrezikshme. Një tjetër aktakuzë ka të bëjë me ngasjen në gjendje të dehur, ndërsa një tjetër për keqpërdorim të besimit. Ndër veprat më të rënda që gjenden nën hetim është edhe vjedhja e rëndë.

Këto veprime të prokurorisë synojnë të forcojnë sundimin e ligjit në rajonin e Prizrenit dhe të sigurojnë përgjegjësinë penale për të gjithë ata që shkelin ligjet e vendit.