Pensionohet Dr. Fatmire Bicaj, QKMF-Suharekë e nderon për kontributin dhe përkushtimin

10.11.2025

Një mesazh plot emocion dhe mirënjohje ka ardhur nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, me rastin e ditëlindjes dhe pensionimit të Dr. Fatmire Bicajt, specialiste e njohur e Mjekësisë Familjare.

Në njoftimin zyrtar të QKMF-së, stafi dhe menaxhmenti kanë shprehur falënderimin dhe respektin e thellë për punën shumëvjeçare të doktoreshës, e cila ka shërbyer me përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj qytetarëve.

“Specialiste e Mjekësisë Familjare, Dr. Fatmire Bicaj, faleminderit përjetësisht për punën, përkushtimin dhe shpirtin tuaj të jashtëzakonshëm. Ju qëndruat pranë qytetarëve në ditët e mira e sidomos në ato më të vështirat, duke u bërë jo vetëm mjeke, por mbështetje, këshillë dhe shpresë,” thuhet në mesazh.

Menaxhmenti i QKMF-së ka theksuar se puna dhe shembulli i Dr. Bicajt do të mbeten frymëzim për brezat e ardhshëm të mjekëve, duke vlerësuar profesionalizmin dhe humanizmin që ajo ka treguar ndër vite.

“Shembulli juaj i profesionalizmit, humanizmit dhe qetësisë që jepnit në çdo situatë, do të mbetet udhërrëfyes për brezat që vijnë. Ju nuk shëruat vetëm trupin. Ju shëruat edhe zemrën e njeriut,” – vijon njoftimi.

Në fund, QKMF i ka uruar ditëlindjen dhe pensionimin e merituar doktoreshës Bicaj, duke e cilësuar atë si një shembull të rrallë për përkushtim dhe dashuri ndaj profesionit dhe njerëzve.

“Urime ditëlindjen dhe pensionimin! Nder dhe respekt për ju, sot dhe gjithmonë.”