Ardian Shala pranon rezultatin dhe uron fitoren e Bali Muharremajt

10.11.2025

Një reagim i parë pas shpalljes së rezultateve paraprake të zgjedhjeve lokale në Suharekë ka ardhur nga ish-kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Dr. Ardian Shala.

Përmes një postimi publik, Shala ka falënderuar qytetarët dhe strukturat e LDK-së për mbështetjen, duke theksuar se dallimi i votave me kundërshtarin politik ka qenë i vogël, por se rezultatin e pranon me dinjitet.

“Pas publikimit të rezultateve paraprake të zgjedhjeve të 9 nëntorit, sipas të dhënave fillestare fitues del të jetë kundërshtari ynë politik me një dallim të vogël votash. Dëshiroj që me shumë mirënjohje t’ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen dhe mbështetjen tuaj,” – ka shkruar Shala.

Në reagimin e tij, ai ka theksuar se pavarësisht humbjes, do të vazhdojë të mbrojë interesin e qytetarëve dhe të punojë për zhvillimin e komunës.

“E pranoj me keqardhje rezultatin, për faktin se nuk arritëm t’ia ofrojmë Suharekës një qeverisje që ajo e meritonte. Megjithatë, ne do të vazhdojmë me vendosmëri të mbrojmë interesin e qytetarëve në të gjitha format,” – ka shtuar ai.

Në shenjë respekti për garën demokratike, Ardian Shala ka uruar fitoren e kundërshtarit politik, Bali Muharremaj, i cili sipas rezultateve paraprake ka dalë fitues i zgjedhjeve në Suharekë.

“Rregullat e demokracisë kërkojnë që pas shpalljes së rezultateve t’i urojmë fitoren kundërshtarit politik. Prandaj i uroj fitoren z. Bali Muharremaj!”

Në fund të reagimit të tij, Shala është shprehur se LDK në Suharekë do të vazhdojë të punojë me përkushtim dhe dinjitet për qytetin, duke mbetur pranë qytetarëve dhe sfidave të tyre të përditshme.