Minutat e fundit të votimit – Suhareka gati të zbulojë fituesin e balotazhit!

09.11.2025

Sot, gjatë ditës së diel, në gjithë vendin po zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, ku qytetarët e 18 komunave të Kosovës po votojnë për kryetarët e rinj që do t’i udhëheqin për katër vitet e ardhshme.

Në mesin e këtyre komunave është edhe Komuna e Suharekës, ku gara po zhvillohet mes dy kandidatëve: Bali Muharremaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Ardian Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Sipas të dhënave të siguruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), që i ka verifikuar redaksia e SuharekaOnline, deri në orën 17:00 janë regjistruar 18,648 votues që kanë ushtruar të drejtën e tyre për të zgjedhur udhëheqësin e ardhshëm të komunës.

Procesi i votimit ka nisur që nga ora 07:00 e mëngjesit dhe po zhvillohet në mënyrë të qetë, pa raportime për parregullsi në qendrat e votimit.

Qendrat e votimit do të mbyllen në orën 19:00, dhe vetëm edhe pak minuta ndajnë qytetarët e Suharekës nga rezultatet përfundimtare, që do të tregojnë kush do ta udhëheqë komunën për katër vitet e ardhshme.