Raundi i dytë i zgjedhjeve në Suharekë, shqetësim për mungesë të lapsave për personat e verbër

09.11.2025

Në Komunën e Suharekës sot janë hapur me kohë të gjitha qendrat e votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Procesi zgjedhor ka nisur në orën 07:00 të mëngjesit, ashtu siç ishte planifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Gazetarët dhe fotoreporterët e Portalit SuharekaOnline, të akredituar nga KQZ për monitorimin e zgjedhjeve, kanë raportuar se procesi në përgjithësi ka filluar në mënyrë të qetë dhe pa vonesa.

Megjithatë, gjatë monitorimit në disa qendra të votimit, është ngritur shqetësim për mungesën e lapsave të posaçëm për personat e verbër, ndonëse qendrat janë pajisur me shabllonet ndihmëse ku vendoset fletvotimi. Ky element është thelbësor për të siguruar pjesëmarrjen dhe votimin e barabartë të personave me nevoja të veçanta, sipas standardeve të përcaktuara nga KQZ.

Autoritetet komunale dhe komisionerët në terren janë njoftuar për mungesën e këtyre mjeteve, me qëllim që çështja të adresohet sa më shpejt gjatë ditës.

Portali SuharekaOnline do të vazhdojë të raportojë gjatë gjithë ditës për rrjedhën e procesit zgjedhor nëpër të gjitha qendrat e votimit në territorin e Komunës së Suharekës.