Kujdes për të gjithë – QKMF në Suharekë ligjëron për personat shurdhmemec të kuptojnë më mirë diabetin

07.11.2025

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Suharekë ka mbajtur sot një ligjëratë informuese me temën “Parandalimi dhe menaxhimi i sëmundjes së Diabetit”, e cila ishte e dedikuar posaçërisht për personat shurdhmemec.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte rritja e vetëdijes për rëndësinë e kontrolleve të rregullta mjekësore, ushqimin e shëndetshëm dhe kujdesin e vazhdueshëm ndaj diabetit, një ndër sëmundjet kronike më të përhapura në vend.

Ligjërata u zhvillua me përkthim në gjuhën e shenjave, duke garantuar pjesëmarrje të barabartë dhe informim të plotë për të gjithë të pranishmit. Ky qasje gjithëpërfshirëse është vlerësuar si hap i rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi shëndetësor më të aksesueshëm për të gjithë qytetarët, pa dallim.

Nga QKMF Suharekë u theksua se kujdesi preventiv dhe informimi i drejtë janë thelbësorë në menaxhimin e diabetit, dhe se aktivitete të ngjashme do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, për të përfshirë sa më shumë kategori të komunitetit.