Minatorët e Trepçës kërkojnë rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës

04.11.2025

Minatorët e ndërmarrjes Trepça kanë bërë thirrje për rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës, duke theksuar se puna dhe sakrificat e tyre duhet të vlerësohen po ashtu si në sektorë të tjerë publikë dhe privatë.

Në një komunikatë të Kryesisë së Sindikatës, minatorët shprehen se kanë punuar me durim dhe solidaritet për shumë vite, duke pritur përmirësime pa kërkuar rritje pagash, edhe pse sektore të tjera kanë përfituar nga ndryshime të tilla.

“Çdo ditë rrezikojmë jetën dhe shëndetin duke punuar në kushte të vështira dhe pa mjete të mjaftueshme. Pa një ligj të veçantë që na mbron, detyrohemi të vazhdojmë punën edhe kur rreziku është i lartë”, theksojnë minatorët.

Kryesia e sindikatës gjithashtu ka theksuar se rritja e prodhimit gjatë vitit të fundit është rezultat i përkushtimit të minatorëve dhe se tani është koha që menaxhmenti të marrë vendime konkrete për mirëqenien e punonjësve, duke përfshirë rritjen e pagave.

Minatorët bëjnë thirrje që përveç shpërblimit financiar, të respektohet puna dhe sakrifica e tyre, duke u vendosur në qendër të politikave të ndërmarrjes dhe duke u siguruar kushte më të sigurta dhe më të qëndrueshme për punë.

Shkrimi i plotë:

Kërkesë e minatorëve

Të nderuar minatorë dhe qytetarë,

Të gjithë po ndjejmë çdo ditë rritjen e çmimeve, rritjen e inflacionit dhe vështirësitë në jetën ekonomike. Ne, minatorët, prej shumë vitesh kemi punuar me durim dhe solidaritet për ndërmarrjen tonë, duke shpresuar që gjendja të përmirësohet, dhe kemi duruar pa kërkuar rritje pagash, edhe pse sektorë të tjerë kanë pasur lëvizje dhe përmirësime.

Tani që qeveria ka paralajmëruar rritje pagash për sektorët publikë dhe ka premtuar pagën e 13-të, është normale dhe e drejtë që edhe menaxhmenti i ndërmarrjes sonë të bëjë hapa konkretë për rritje të pagave të minatorëve.

Gjatë vitit të fundit, puna jonë ka sjellë rritje të dukshme të prodhimit. Ky sukses nuk do të kishte ndodhur pa përkushtimin e minatorëve. Prandaj, kërkojmë që puna dhe sakrifica jonë të vlerësohen dhe të shpërblehen me rritje pagash, po ashtu siç po ndodh në sektorët e tjerë publikë dhe privatë.

Çdo ditë rrezikojmë jetën dhe shëndetin duke punuar në kushte të vështira dhe pa mjete të mjaftueshme. Pa një ligj të veçantë që na mbron, detyrohemi të vazhdojmë punën edhe kur rreziku është i lartë.

Është koha që menaxhmenti të marrë vendime konkrete për mirëqenien tonë: rritje pagash dhe respekt për punën dhe sakrificat që bëjmë çdo ditë.

Me respekt,

Kryesia e Sindikatës