Gjykata Supreme: Ndalimi i shamisë në shkolla, vendim i bazuar ligjërisht

29.10.2025

Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës ka refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e paraqitur nga Rrjeti i Femrave për Zhvillim Profesional “Arrita” kundër Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), përmes së cilës ishte kërkuar shfuqizimi i nenit 3, paragrafit 1, nënparagrafit 1.13 të Udhëzimit Administrativ Nr.06/2014 – “Kodi i Mirësjelljes dhe Masat Disiplinore për Nxënës të Shkollave të Mesme të Larta”.

Paditësja kishte pretenduar se ky udhëzim administrativ, si akt nënligjor, nuk mund të kufizojë ushtrimin e lirive dhe të drejtave kushtetuese, konkretisht të drejtën e vajzave për të bartur shaminë e kokës. Sipas saj, kufizimi i tillë bie ndesh me nenin 55.1 të Kushtetutës, ku përcaktohet se të drejtat dhe liritë themelore mund të kufizohen vetëm me ligj. Organizata kishte theksuar gjithashtu se në katër vitet e fundit kishte pranuar ankesa nga vajza të përjashtuara nga shkollat publike për shkak të mbulesës fetare.

Pas shqyrtimit të çështjes, Gjykata Supreme ka vlerësuar se Udhëzimi Administrativ Nr.06/2014 gjen mbështetje të plotë ligjore në Ligjin Nr.04/L-032 për Arsimin Parauniversitar dhe Ligjin Nr.04/L-138 për Arsimin dhe Aftësimin Profesional, të cilët i japin Ministrisë së Arsimit autorizim të qartë për të përcaktuar rregulla të sjelljes dhe veshjes së nxënësve. Si rrjedhojë, Gjykata ka konkluduar se akti nënligjor është në përputhje me ligjin dhe nuk mund të shpallet i paligjshëm.

Në arsyetimin e saj, Gjykata është ndalur edhe në nenin 55 të Kushtetutës, që lidhet me kufizimin e lirisë së besimit dhe fesë. Ajo ka rikujtuar se Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në aktvendimin nr. KI 36/11 të datës 30 shtator 2011, kishte theksuar se liria fetare është çështje e ndërgjegjes individuale, por mund të kufizohet në një shoqëri demokratike për të ruajtur harmoninë dhe respektin ndërfetar, duke theksuar rolin neutral të shtetit si garant i tolerancës fetare.

Po ashtu, Gjykata Supreme ka përmendur edhe qëndrimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), e cila në raste të ngjashme ka konstatuar se rregullat për bartjen e simboleve fetare ndryshojnë sipas traditave kombëtare dhe synojnë mbrojtjen e të drejtave dhe rendit publik.

Në përfundim, Gjykata Supreme ka vlerësuar se Ministria e Arsimit ka vepruar brenda kompetencave ligjore dhe se rregullat që ndalojnë bartjen e çdo veshjeje tjetër përveç uniformës shkollore janë në përputhje me ligjin, prandaj kërkesëpadia e Rrjetit të Femrave “Arrita” është refuzuar si e pabazuar.