KQZ: Nga votat e diasporës, mbi 15 mijë pako u aprovuan – 2,400 u refuzuan

15.10.2025

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se procesi i vlerësimit të pakove të votimit përmes postës nga jashtë vendit po vazhdon me intensitet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Sipas të dhënave që ai ka dhënë për Telegrafin, deri të mërkurën në orën 16:00 janë vlerësuar mbi 18,000 pako të votimit përmes postës, të dërguara nga diaspora në kuadër të Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe Kuvendet Komunale.

Sipas Elezit, më shumë se 15,600 pako janë aprovuar, ndërsa rreth 2,400 janë refuzuar për arsye të ndryshme. “Shkaku kryesor i refuzimit të pakove, konkretisht në 2,358 raste, është mungesa e dëftesës së regjistrimit – një dokument unik që votuesi i regjistruar duhet ta paraqesë bashkë me fletëvotimin”, sqaroi ai.

33 mijë pako të mbledhura nga 23 kuti postare

Procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime është përmbyllur të martën, ku KQZ kishte vendosur 23 kuti postare në 22 shtete dhe në Kosovë, për të lehtësuar dërgimin e votave nga diaspora. Nga këto pika, janë mbledhur gjithsej 33,841 pako të supozuara me fletëvotime, të cilat aktualisht po vlerësohen në QNR.

Elezi theksoi se puna e stafit të QNR-së po zhvillohet me kujdes të shtuar, në mënyrë që të garantohet integriteti i procesit dhe saktësia e çdo vote që arrin nga jashtë vendit.

Përfundohen numërimet në nëntë komuna

Në të njëjtën kohë, në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) po vazhdon dita e tretë e aktiviteteve paszgjedhore. Deri në orën 16:00 të së mërkurës, janë verifikuar rezultatet për 1,133 vendvotime për Kryetarë të Komunave dhe për 1,084 vendvotime për subjektet politike që garuan për Kuvendet Komunale.

Po ashtu, janë numëruar votat e kandidatëve për asambletë komunale nga 1,084 vendvotime. Deri tani, procesi në QKN është përmbyllur në nëntë komuna: Hani i Elezit, Junik, Mamushë, Zveçan, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime dhe Klinë. “Kësaj liste pritet t’i shtohen edhe disa komuna deri në fund të ditës”, bëri të ditur Elezi.

Të gjitha të dhënat e përditësuara publikohen në platformën zyrtare të KQZ-së për rezultatet: për Kryetarë të Komunave, për subjektet politike si dhe për kandidatët për Kuvendet Komunale.

Po skanohet lista e votuesve për votimin me kusht

Në QNR ka nisur ndërkohë procesi i skanimit të listës së votuesve nga vendvotimet e rregullta, që përbën një hap teknik të domosdoshëm para numërimit të votave me kusht. “Ky skanim është i rëndësishëm për të garantuar integritetin e votës, duke siguruar që asnjë votues të mos ketë votuar dy herë – njëherë në vendvotim të rregullt dhe njëherë me kusht”, tha Elezi.

Nga 54 vendvotime për votimin me kusht në 38 komuna, janë regjistruar gjithsej 2,119 zarfe me fletëvotime. Po ashtu, në programin për votuesit me nevoja të veçanta, janë regjistruar 3,467 persona që kanë votuar përmes ekipeve mobile të KQZ-së.

Procesi pritet të përmbyllet së shpejti

Në fund, zëdhënësi Elezi konfirmoi se KQZ do të publikojë numrin final të pakove të aprovuara dhe atyre që do të kalojnë në numërim menjëherë pas përfundimit të procesit të vlerësimit në QNR.

Ai siguroi se procesi po zhvillohet në përputhje me të gjitha procedurat ligjore dhe teknike, me qëllim që çdo votë e dërguar nga diaspora të trajtohet me transparencë dhe profesionalizëm.