Suharekë, mbahet takimi i tretë kundër dhunës në familje, dalin dy rekomandime
Komuna e Suharekës ka mbajtur takimin e tretë të Mekanizmit Kundër Dhunës në Familje për vitin 2025, ku pjesëmarrësit diskutuan mbi sfidat, statistikat dhe hapat e ardhshëm në luftën kundër dhunës në familje.
Në këtë takim mori pjesë edhe nënkryetarja e komunës, znj. Mhirije Suka, e cila vuri theksin në rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve lokale për të parandaluar dhunën dhe për të ofruar mbrojtje efektive për viktimat.
Koordinatorja e Mekanizmit, znj. Habibe Bytyqi, prezantoi një analizë të detajuar të rasteve të raportuara gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2025. Ajo theksoi angazhimin serioz të institucioneve në trajtimin e këtyre rasteve dhe nevojën për qasje të integruar në ofrimin e mbështetjes për personat e prekur.
Diskutimet gjatë takimit u përqendruan në gjetjen e mënyrave konkrete për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi format e dhunës në familje dhe pasojat e saj.
Nga ky takim dolën edhe dy rekomandime kryesore:
- Zhvillimi i fushatave vetëdijesuese për informimin e qytetarëve mbi shërbimet që ofron Qendra e Shëndetit Mendor në komunë.
- Krijimi i një ekipi të specializuar pranë QKMF-së, me qëllim hulumtimin dhe ndjekjen më të afërt të rasteve që lidhen me shëndetin mendor të qytetarëve.
Komuna e Suharekës mbetet e përkushtuar në fuqizimin e mekanizmave mbrojtës dhe në përmirësimin e qasjes së institucioneve ndaj viktimave të dhunës, duke vazhduar angazhimin për një komunitet më të sigurt dhe më të vetëdijshëm.