Gjendet 16 vjeçarja e zhdukur nga Peqani i Suharekës, refuzon të kthehet tek familja e saj

06.10.2025

Pas disa ditësh kërkimesh intensive, Policia e Kosovës ka arritur të lokalizojë vajzën 16-vjeçare nga fshati Peqan i Suharekës, e cila ishte raportuar si e zhdukur më 1 tetor 2025.

Sipas burimeve nga policia, vajza është gjetur në një lokacion të sigurt, pas një serie veprimesh hetimore nga Sektori i Hetimeve Rajonale në Prizren.

E mitura është shoqëruar në polici, ku është marrë në pyetje në prani të nënës së saj dhe përfaqësuesit të Qendrës për Punë Sociale (QPS). Gjatë deklarimit të saj, vajza ka bërë të ditur se nuk dëshiron të kthehet në familje, duke theksuar se ka vendosur të jetojë e pavarur.

Pas një kontrolli mjekësor, është konstatuar se nuk ka shenja dhune, ndërsa gjendja e saj shëndetësore dhe emocionale është stabile.

Me vendim të Prokurorit kujdestar dhe përfaqësuesit të QPS Suharekë, ajo është dërguar për strehim të përkohshëm në një Strehimore, ndërkohë që hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e largimit të saj nga shtëpia.