Kroaci, duhani malli kryesor i kontrabanduar – çdo vit sekuestrohen mbi 20 ton
Kreu i Administratës Doganore të Kroacisë, Mario Demirović, ka deklaruar se duhani është kthyer në mallin më të kontrabanduar në vend. Sipas tij, prioriteti i doganës është kapja e duhanit të papërpunuar dhe të prerë imët, i cili qarkullon në mënyrë ilegale.
“Çdo vit sekuestrojmë të paktën 20 ton duhan, ndërsa këtë vit kemi kaluar tashmë shifrën prej 15 tonësh”, tha Demirović në një intervistë për televizionin publik HRT. Ai theksoi se kontrabanda e cigareve ka rënë ndjeshëm krahasuar me një dekadë më parë, edhe pse vazhdon të ekzistojë.
Drejtori i Doganës shpjegoi se Kroacia shërben kryesisht si rrugë tranziti për mallrat e kontrabanduara, me destinacion kryesor Evropën Perëndimore.
Lidhur me mënyrën e funksionimit të kontrabandistëve, Demirović nënvizoi se bëhet fjalë për grupe kriminale ndërkombëtare të sofistikuara. “Shfaqjet në panaire dhe tregje janë vetëm forma periferike. Qëllimi ynë është të luftojmë krimin e organizuar dhe kjo nuk do të ishte e mundur pa bashkëpunim ndërkombëtar”, u shpreh ai.
Aktualisht, Shërbimi Doganor kroat numëron mbi 2,600 punonjës, të cilët angazhohen çdo ditë në ruajtjen e kufijve të jashtëm të Kroacisë dhe të Bashkimit Evropian.