Prizren, aktakuzë për vjedhjen e mbi 3 kg ari, dëmi mbi 195 mijë euro
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Sh.H., i cili ndodhet në paraburgim që nga data 23 qershor 2025.
Ai akuzohet për veprat penale “Vjedhja e rëndë” dhe “Vjedhja e rëndë e mbetur në tentativë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, Sh.H. nga fshati Greme i Ferizajt, në bashkëkryerje me shtetasin bullgar V.G., më 12 janar 2025 rreth orës 03:40 të mëngjesit, kanë arritur në Prizren dhe kanë ndërmarrë një aksion të organizuar për të depërtuar në argjendarinë “G”. Të maskuar dhe të pajisur me mjete, ata siguruan një palë shkallë, çaktivizuan sistemin e alarmit dhe hynë me forcë në objekt. Nga aty, sipas prokurorisë, ata arritën të marrin rreth 3 kg ari 14 karatësh, një pesë-lirësh, dy lira, disa hallka dore, 1 kg argjend si dhe një peshore. Dëmi i shkaktuar pronarit A.B. vlerësohet në rreth 195,000 euro. Pas grabitjes, të dyshuarit u kthyen në parking dhe më pas u larguan drejt Ferizajt.
Po atë natë, dy të pandehurit tentuan të kryejnë edhe një vjedhje tjetër në argjendarinë “S.G.” në Prizren. Ata depërtuan brenda, por nuk arritën të hapin kasafortën dhe u detyruan të largohen. Për këtë ngjarje, Sh.H. akuzohet për veprën penale “Vjedhja e rëndë e mbetur në tentativë”.
Gjithashtu, më 23 janar 2025, në rrugën “Mbreti Pirro” në Prizren, i pandehuri Sh.H. ka depërtuar me forcë në objektin e S.A., prej nga ka marrë një modem interneti, një pajisje DVR dhe ka dëmtuar kabllot e sistemit të kamerave. Edhe ky veprim është cilësuar si vepër penale “Vjedhja e rëndë”.
Prokuroria ka propozuar që të konfiskohen pasuritë e dyshuara të fituara nga aktiviteti kriminal ose të përdorura për kryerjen e veprës penale, përfshirë një apartament prej 117 metrash katrorë në Ferizaj, një automjet Renault Megane ngjyrë të kaltër, një BMW/1K4 ngjyrë të zezë, një BMW/Z3 ngjyrë të zezë, një traktor STELS/650-ST dhe një automjet Peugeot 308.
Prokurori i çështjes ka kërkuar që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, i pandehuri Sh.H. të shpallet fajtor për veprat penale për të cilat akuzohet dhe të dënohet sipas ligjit.