Aksident tragjik në magjistralen Pejë–Prishtinë, dy të vdekur dhe dy të lënduar

23.09.2025

Dy persona kanë ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur sot në mëngjes në magjistralen Pejë–Prishtinë, në fshatin Zajm.

Policia e Kosovës njofton se rreth orës 05:00 është pranuar informata për aksidentin, ku janë përfshirë një kamion, një kombi dhe një veturë me targa vendore.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet kompetente të Njësitit Rajonal të Komunikacionit Rrugor, emergjenca dhe njësiti i zjarrfikësve. Ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e dy personave në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të tjerë të lënduar janë dërguar me autoambulancë në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim mjekësor.

Me urdhër të prokurorit të Shtetit, trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.