Aksident fatal në magjistralen Suharekë–Prizren, humb jetën 19-vjeçari nga Pirana
Një 19-vjeçar nga fshati Pirana i Prizrenit ka humbur jetën në një aksident trafiku që ka ndodhur gjatë orëve të para të së shtunës në fshatin Lutogllavë, në magjistralen Suharekë–Prizren.
Foto: Ilustrim
Sipas Policisë së Kosovës, aksidenti ka ndodhur rreth orës 01:05, ndërsa Policia është njoftuar rreth orës 01:27.
Dyshohet se drejtuesi 19-vjeçar i automjetit nuk e ka përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, e cila ishte e lagësht për shkak të reshjeve të shiut. Si pasojë, ai ka humbur kontrollin mbi automjetin, i cili ka dalë jashtë rrugës.
Nga aksidenti, pasagjeri, po ashtu rreth 19 vjeç dhe nga Pirana, ka humbur jetën, ndërsa drejtuesi ka pësuar lëndime trupore.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe ekipet e emergjencës. Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa drejtuesi i automjetit është ndaluar për 48 orë.
Policia dhe Prokuroria po vazhdojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.
