Muharremaj takim me qytetarët e Nishorit dhe Breshancit: “Energjia dhe besimi juaj më japin forcë”
Kandidati për kryetar të Komunës së Suharekës për mandatin e tretë, Bali Muharremaj, ka zhvilluar një takim me banorët e fshatrave Nishor dhe Breshanc.
Gjatë takimit Muharremaj ka bashkëbiseduar me ta për punët e deritanishme, sfidat me të cilat përballet komuna dhe planet që do të realizohen në mandatin e ardhshëm.
Në këtë tubim, Muharremaj ka theksuar se takimet e drejtpërdrejta me qytetarët janë momenti më i rëndësishëm i fushatës, pasi aty merr vesh shqetësimet dhe idetë që lidhen me zhvillimin e komunës. Ai ka vlerësuar se përkrahja që po merr nga qytetarët i jep energji dhe motiv shtesë për të vazhduar punën me përkushtim.
“Energjia, besimi dhe përkrahja e secilit prej jush më japin forcë të vazhdoj me përkushtim edhe më të madh”, ka thënë ai, duke shprehur vendosmërinë për të përfunduar projektet e nisura dhe për të nisur të reja që do ta çojnë Suharekën përpara.
Takimet e tilla, sipas tij, janë dëshmi se qytetarët duan dialog, transparencë dhe zgjidhje konkrete për problemet e tyre, dhe se kjo do të mbetet prioritet edhe në mandatin e ardhshëm.