“Gardiani i Financave”, Liridon Fandaj, zëri që ruajti paratë e qytetarëve
Liridon Fandaj, ekonomist dhe kontabilist i njohur nga fshati Peqan, është sërish në garë për një mandat të dytë në Kuvendin Komunal të Suharekës.
Foto: Ilustrim
Si një nga themeluesit e parë të Lëvizjes Vetëvendosje! në këtë komunë, ai ka dëshmuar që nga fillimi se politika për të nuk është thjesht një karrige, por një mision për drejtësi shoqërore dhe barazi për të gjithë qytetarët.
Gjatë mandatit të tij të parë, Fandaj ka qenë një prej zërave më aktivë e më të vendosur në sallën e Kuvendit. Ai ka ngritur me guxim çështje thelbësore për ligjshmërinë e vendimeve, ka kërkuar që çdo shpenzim i buxhetit të jetë i arsyetuar dhe i dokumentuar me transparencë, dhe ka refuzuar që vendimet të kalojnë pa u shqyrtuar siç duhet. Ka kërkuar që çdo ndryshim në vendimet e miratuara të sillet përsëri në Asamble për votim, duke mos lejuar që të tejkalohet vullneti i përfaqësuesve të qytetarëve.
Në çdo debat, ai ka insistuar që buxheti i komunës të shërbejë interesin publik dhe jo grupeve të caktuara. Ka ngritur pyetje për bartjen e mjeteve financiare, ka kërkuar sqarime për përdorimin e fondit rezervë dhe ka qenë gjithmonë i zëshëm kur bëhej fjalë për projekte kapitale që prekin jetën e qytetarëve. Në seancat e fundit, ai ka qenë ai që ka kërkuar që raportet e komisioneve të shpjegohen qartë, që të mos ketë vend për dyshime apo vendimmarrje të nxituara, duke e mbrojtur dinjitetin e Asamblesë dhe interesin e qytetarëve.
Për Liridon Fandaj, Asambleja është zemra e demokracisë lokale, vendi ku mbrohen interesat e çdo qytetari, ku kërkohet llogari dhe ku ngrihet zëri për transparencë e zhvillim. Ai shprehet se është i nderuar që ka pasur mundësinë të japë kontributin e tij gjatë këtyre viteve dhe është i bindur se Suhareka ka nevojë për vazhdimësi, për ide të reja dhe për guximin që të kërkojmë më shumë për qytetin tonë.
Në prag të zgjedhjeve të 12 tetorit, ku ai garon me numrin 20 në listën e Lëvizjes Vetëvendosje!, Fandaj u bën thirrje qytetarëve që t’i bashkohen kësaj rruge për të ndërtuar së bashku një të ardhme më të drejtë, më transparente dhe më të zhvilluar për Suharekën. Ai beson se ndryshimi nuk ndodh vetvetiu, por kërkon përkushtim, guxim dhe vizion, dhe ai është gati të vazhdojë të japë këtë kontribut për katër vitet e ardhshme.
