Suhareka në këmbë për Muharremajn – fushata nis me mbështetje madhështore dhe projekte të mëdha!

13.09.2025

Kryetari aktual dhe kandidati për një mandat të tretë në Suharekë, Bali Muharremaj, ka nisur zyrtarisht fushatën e tij elektorale me një tubim madhështor, i cili filloi spontanisht dhe mori përmasa të mëdha brenda pak çastesh.

Ngjarja nisi me një tubim të vogël pranë zyrave të AAK-së, ku aktivistë dhe mbështetës të Muharremajt ishin mbledhur. Brenda pak minutash, ky tubim mori përmasa të mëdha, teksa qytetarë dhe kalimtarë të ndryshëm iu bashkuan, duke arritur në qindra pjesëmarrës. Për shkak të numrit të madh të njerëzve, Muharremaj ftoi të gjithë që të zhvendoseshin në ambientet e fushave sportive për të vazhduar takimin.

Në fjalimin e tij para qytetarëve, mbështetësve dhe bashkëpartiakëve, Muharremaj theksoi se merita kryesore për zhvillimin e Suharekës gjatë mandatit të tij i takon qytetarëve, bizneseve dhe diasporës. Ai falënderoi të gjithë për mbështetjen e pakursyer dhe theksoi se i vetmi “shef” i tij janë qytetarët, duke shtuar se punon vetëm për ta dhe me ta.

Përveç vlerësimit të punës së deritanishme, Muharremaj prezantoi edhe disa nga projektet e rëndësishme që pritet të nisin së shpejti në Komunën e Suharekës, nëse ai fiton një mandat të dytë. Ndër projektet e përmendura janë ndërtimi i çerdhes së 10-të, pishinës gjysmëolimpike, stacionit të ri të autobusëve, rindërtimi i qendrës zejtare, si dhe ndërtimi i një parku në Delloc. Ai premtoi gjithashtu zgjerimin e shërbimeve të kujdesit shtëpiak për qytetarët e moshës së tretë, krahas shërbimeve shëndetësore ekzistuese.