Kroaci, pas 13 vitesh zbulohet identiteti i viktimës trupi i të cilit u gjet i coptuar në det
Pas 13 vitesh, misteri i një trupi të copëtuar që u gjet në Zenta të Splitit në vjeshtën e 2012-ës më në fund është zgjidhur. Identiteti i viktimës u zbulua falë një dokumenti të skaduar, ndërsa djali i tij tashmë është në qendër të një hetimi penal.
Në tetor të vitit 2012, një zbulim makabër tronditi Splitin. Në bregdetin e Zentës u gjetën pjesë të një trupi njeriu, të copëtuara dhe të hedhura në det. Fillimisht, u gjet një këmbë e mbështjellë me qese plastike, e më pas trupi pa kokë dhe pa këmbë. Pas rreth dhjetë ditësh, një kalimtar zbuloi trupin e zhveshur të ngecur në një shkëmb, ndërsa një ditë më vonë u gjet edhe koka, e futur në një qese plastike.
Analizat e para treguan se ishte një burrë i moshës 70-80 vjeç, rreth 180 cm i gjatë. Patologët zbuluan tetë brinjë të thyera dhe konfirmuan se trupi ishte copëtuar pas vdekjes, ndoshta me sharrë ose sëpatë. Megjithatë, hetimi u vështirësua ndjeshëm, pasi trupi ishte i dekompozuar dhe ishte e pamundur të merreshin gjurmët e gishtërinjve. Edhe pse u mor një mostër ADN-je, nuk kishte me çfarë të krahasohej. Policia kontaktoi institucionet e ndryshme, duke dyshuar për disa persona të zhdukur, por asnjë prej tyre nuk rezultoi i lidhur me këtë rast.
Zgjidhja e rastit erdhi papritur. Pasi ekzaminoi një kartë identiteti të skaduar prej kohësh që iu gjet pranë trupit, policia arriti të përcaktojë identitetin e viktimës. Zbuloi se ai ishte një pensionist, vdekja e të cilit nuk ishte raportuar kurrë.
Zbulimi tronditës ishte se djali i tij kishte vazhduar të merrte pensionin e të atit për vite me radhë, duke kryer kështu një mashtrim të rëndë. Momentalisht, djali ndodhet në spital në Split dhe policia po ruan dhomën e tij për të nisur një hetim penal sapo ai të lirohet. Edhe pse mashtrimi është i sigurt, autoritetet po hetojnë mundësinë e krimeve të tjera, përfshirë vrasjen.