Dogana e Kosovës sekuestron afro 20 mijë euro të padeklaruara nga një shtetas serb në Jarinjë

08.09.2025

Zyrtarët doganorë në pikëkalimin kufitar në Jarinjë kanë zbuluar dhe sekuestruar mjete monetare të padeklaruara me vlerë rreth 20 mijë euro gjatë një kontrolli rutinë të automjeteve që po hynin në territorin e Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit, shuma e gjetur përbëhej kryesisht nga monedha në dinarë serb, ndërsa pjesa tjetër ishte në valutën euro.

Paratë ishin fshehur dhe nuk ishin deklaruar sipas rregullave doganore në momentin e hyrjes në Kosovë nga një shtetas serb.

Autoritetet doganore theksojnë se kontrollet e rregullta do të vazhdojnë, me qëllim të parandalimit të rasteve të ngjashme dhe respektimit të ligjit në pikat kufitare.