Sadik Halitjaha: Zgjohu populli im, se po na çojnë drejt humnerës

06.09.2025

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sadik Halitjaha, ka reaguar ashpër lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend, duke paralajmëruar pasoja të rënda nëse, sipas tij, qytetarët dhe institucionet nuk veprojnë me kohë.

Halitjaha në një postim të tij thekson se nuk guxojmë të presim siç thotë ai “si demi para kasapit”, duke përgëzuar Kadri Kryeziun për qëndrimet e tij publike në mbrojtje të interesave të Kosovës.

Ai ka kritikuar ashpër rolin e pakicës serbe dhe mekanizmin e vetos që, sipas tij, po e mban peng Kosovën. “Boll më 5% që për 150 vite ka qeverisur, sunduar dhe shtypur Kosovën. Kush po u jep të drejtë vetos asaj pakice që ta mbajë peng shtetin?”, ka shkruar ai.

Halitjaha ka akuzuar edhe Gjykatën Kushtetuese për veprime kundër interesave të Kosovës, duke paralajmëruar se pasojat e vendimeve të saj “shpejt do të shihen dhe janë të parikthyeshme”.

Në reagimin e tij, ai pyet se si është e mundur që Kosova të shkojë në zgjedhjet lokale pa institucione qendrore, duke e krahasuar situatën me “një dasmë pa dhëndër”. Ai ngre shqetësimin se vendi po rrezikon të shndërrohet nga një republikë në anarki, nga një shtet me integritet territorial në një Kosovë të copëtuar.

“Ti çelim sytë se po bëhet vonë! Ne që duam të shohim e të kuptojmë, se për miopët ata jo që nuk shohin, por nuk duan të shohin, jo që nuk dëgjojnë, por nuk duan të dëgjojnë, jo që nuk dinë, por nuk duan të dinë!”, ka shkruar ai.

Në fund, Halitjaha i ka bërë thirrje qytetarëve që të mos qëndrojnë në apati dhe të mos lejojnë, siç shprehet ai, humbjen e sovranitetit dhe lirisë së fituar me shumë gjak.

“Zgjohu populli im, se po na çojnë drejt humnerës”, ka përfunduar ish-komandanti i UÇK-së.