Nesër nis viti i ri shkollor, por pa u zbutur pakënaqësitë e prindërve!

31.08.2025

Nesër, më 1 shtator, në të gjitha shkollat publike dhe private të Kosovës do të fillojë procesi mësimor për ciklin parauniversitar.

Ndërsa nxënësit dhe mësimdhënësit bëhen gati për një vit të ri shkollor, procesi i subvencionimit të teksteve ka ngjallur sërish debate dhe pakënaqësi.

Për të disatin vit radhazi, prindërit e nxënësve nga klasa e parë deri në të nëntën janë subvencionuar për blerjen e librave shkollorë përmes platformës e-Kosova. Megjithatë, ky proces nuk ka shkuar pa probleme. Shumë prindër janë ankuar për vështirësi në gjetjen e të gjitha librave në një vend të vetëm, duke u detyruar të vizitojnë disa librari.

Një prind shprehu zhgënjimin e tij, duke thënë: “Shumë tollovi po bëhet nëpër librari, nuk e di pse e kanë ndërruar mënyrën e pajisjes me tekste shkollore… Tani neve po na duhet me i mbajt, dhe nuk po mundemi me i pas të kompletuara.” Këto probleme kanë krijuar konfuzion dhe stres për familjet, të cilat përballen me vonesa në sigurimin e materialit të nevojshëm për fëmijët e tyre.

Një tjetër prind, ndonëse i shqetësuar për mungesën e librave, uroi një fillim të mbarë për të gjithë nxënësit. “Po na ndodhë që nuk po i gjejmë të gjitha në një vend, e po duhet me i kërku në disa librari derisa po i kompletojmë… Kisha uruar të gjithë ata fëmijë që fillojnë ditën e parë në shkollë që të jetë një vit i mbarë, me plot shëndet e plot suksese,” tha ai.

Nga ana e saj, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka bërë të ditur se procesi i aplikimit përmes platformës e-Kosova mbetet i hapur, me qëllim që të sigurohet përfshirja e të gjithë nxënësve. Deri më 27 gusht, ishin pranuar 183,226 aplikime, dhe ishin bërë pagesat e para.

Ndërkohë, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka uruar një fillim të mbarë të vitit shkollor, por ka ngritur shqetësime për gjendjen e mësimdhënësve. Nënkryetarja e Sindikatës, Vjollca Shala, ka kërkuar dialog social me institucionet e reja qeveritare, duke theksuar se gjendja aktuale e mësimdhënësve nuk është e mirë, madje disa prej tyre përballen me probleme shëndetësore. “Me këtë gjendje që e kemi aktualisht, dhe në vazhdimësi për të pasur cilësi në arsim, duhet të angazhohen të gjithë aktorët,” tha ajo.