Presidentja Osmani kërkon drejtësi për 1584 qytetarët e zhdukur të Kosovës
Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ngritur zërin për të kujtuar plagën e hapur që vazhdon të brejë shoqërinë kosovare: fatin e panjohur të 1584 qytetarëve që ende mungojnë.
Ajo theksoi se pas çdo numri fshihet një histori e ndërprerë dhe dhimbja e një familjeje që pret drejtësi për më shumë se dy dekada.
“Varret e hapura janë dëshmi e gjallë e krimeve të luftës dhe krimit të përsëritur nga regjimi gjenocidal serb, si dhe kujtesë e përditshme se drejtësia nuk është vënë ende në vend,” shkroi presidentja Osmani në një postim, duke theksuar se derisa mijëra qytetarë mbesin të zhdukur, paqja në rajon mbetet e paplotë.
Presidentja Osmani akuzoi drejtpërdrejt regjimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, duke deklaruar se “vazhdon të fle mbi varreza masive, duke mbajtur peng zbardhjen e fatit të të zhdukurve”. Ajo bëri thirrje urgjente për ndërhyrjen e bashkësisë ndërkombëtare, duke kërkuar rritjen e presionit mbi Serbinë.
“Është koha që partnerët ndërkombëtarë ta rrisin presionin mbi Serbinë, sepse vetëm zbardhja e fatit të të zhdukurve si dhe drejtësia mund t’u japin familjeve qetësinë që meritojnë,” përfundoi mesazhi i saj, duke nënvizuar se gjetja e personave të zhdukur dhe vënia e drejtësisë në vend janë hapa thelbësorë drejt shërimit dhe pajtimit.