Suhareka ndan mirënjohje për mësuesen dhe aktivisten Kimete Bytyçi, bashkëshorten e ish-kryetarit Ukë Bytyçi

25.08.2025

Suhareka ka nderuar një nga figurat e saj më të devotshme.

Kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, së bashku me nënkryetaren Mihrije Suka, vlerësuan me mirënjohje Kimete Bytyçin, bashkëshorten e ish-kryetarit Ukë Bytyçi. Vlerësimi erdhi në shenjë falënderimi për kontributin e saj të çmuar në fushën e arsimit dhe në jetën shoqërore e kulturore të komunës.

Përgjatë karrierës së saj, Kimete Bytyçi edukoi me përkushtim breza të tërë nxënësish, duke u rrënjosur atyre dashurinë për dijen dhe ndjenjën e përgjegjësisë. Përveç punës në shkollë, ajo ka lënë gjurmë të thella edhe në aktivitetet shoqërore e kulturore të Suharekës.

Në momentin e pensionimit të saj, ky vlerësim shërben si një dëshmi e punës, mundit dhe vlerave që ajo ka sjellë për Suharekën. Siç theksoi edhe kryetari Muharremaj, kontributi i saj do të mbetet gjithmonë pjesë e historisë së përbashkët të qytetit.

Kryetari Muharremaj i shprehu mirënjohjen më të sinqertë zonjës Bytyçi dhe i uroi shëndet e jetë të gjatë pranë familjes dhe nipave e mbesave.