Tre burra sulmojnë gjashtë të tjerë në Prizren, arrestohen

23.08.2025

Një incident i rëndë ka ndodhur në fshatin Landovicë të Prizrenit, ku tre burra janë arrestuar nga policia nën dyshimin se pas një mosmarrëveshjeje kishin sulmuar fizikisht gjashtë persona.

Sipas policisë, viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe menjëherë u është ofruar ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit.

Në kuadër të hetimeve, është kryer një bastisje në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve, ku policia ka gjetur dhe sekuestruar një pistoletë si dhe një karikator.

Tre të dyshuarit, me vendim të prokurorit kujdestar, janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, ndërsa hetimet rreth rastit po vazhdojnë.

Policia ka bërë të ditur se rasti është regjistruar si “Lëndim i lehtë trupor dhe Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.