Një person gjendet pa shenja jete në një restorant në Malishevë

20.08.2025

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në Malishevë, ku një person është gjetur pa shenja jete brenda një restoranti në rrugën “Avdyl Krasniqi”.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, ka konfirmuar se rasti është raportuar rreth orës 14:10. Pas marrjes së informatës, në vendngjarje kanë dalë njësitet përkatëse policore dhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës.

“Me vendim të prokurorit të shtetit është iniciuar rasti ‘Hetim i vdekjes’, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar për ekzaminim mjeko-ligjor,” ka bërë të ditur Krasniqi.

Autoritetet kanë nisur procedurat hetimore për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarjeje.