Deri në 2 orë e gjysmë pritje në Merdar, kolonat arrijnë deri në 700 metra
14.08.2025
Pika kufitare në Merdar vazhdon të përballet me fluks të madh qarkullimi edhe gjatë ditës së sotme, duke u renditur si më e ngarkuara në vend.
Bashkatdhetarët që kanë kaluar pushimet verore në Kosovë janë në kthim drejt vendeve evropiane ku jetojnë dhe punojnë, ndërsa shumica po e përdorin këtë pikë kufitare për dalje nga vendi.
Si pasojë, pritjet për të kaluar kufirin në Merdar kanë arritur deri në 2 orë e 30 minuta. Kolonat e automjeteve në dalje nga Kosova shtrihen deri në 700 metra, duke krijuar vështirësi në qarkullim.
Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pikat e tjera kufitare janë dukshëm më të lira, me hyrje dhe dalje që realizohen brenda pak minutash.