Kryetari Muharremaj prezanton Gent Gashin, kandidatin për Asamblenë Komunale
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka bërë të ditur kandidaturën e Gent Gashit për Asamblenë Komunale.
Përmes një postimi, ai ka prezantuar të dhëna mbi përvojën profesionale dhe angazhimet e Gashit, duke theksuar rolin e tij aktual në administratën komunale dhe kontributin në jetën komunitare.
Gent Gashi, banor i Studençanit, ka mbi tetë vite përvojë në administratën publike, diplomaci, menaxhim projektesh dhe shërbim politik në nivel lokal.
Aktualisht, ai ushtron detyrën e Drejtorit të Inspeksionit në një institucion komunal, ku udhëheq mbikëqyrjen dhe zbatimin e rregulloreve dhe ligjeve lokale.
Ai ka përfunduar studimet master në Marrëdhënie Ndërkombëtare – Diplomaci, në kuadër të Fakultetit Juridik, me një angazhim akademik gjashtëvjeçar.
Rruga e tij profesionale ka nisur si administrator në Drejtorinë e Bujqësisë, për të vazhduar më pas si zyrtar ligjor në organizatën “Kosova Hope”. Për katër vite ka punuar si koordinator projektesh në Agjencinë për Zhvillim Rajonal – Jugu (AZHR-Jug), ku ka udhëhequr dhe monitoruar projekte zhvillimore, ka bërë të ditur Muharremaj.
Përveç angazhimit profesional, Gashi ka pasion sportin dhe aktivitetet rinore. Ai është ndër themeluesit dhe ish-kryetar i Klubit të Shahut “Studençani” dhe njihet për kontributin e tij në aktivitete komunitare, veçanërisht me të rinjtë, si dhe në zhvillimin e sportit, rekreacionit dhe infrastrukturës lokale.