Ka filluar protesta në Prishtinë, qytetarë të shumtë dhe figura publike po marrin pjesë
Qytetarë nga të gjitha anët e Kosovës janë mbledhur sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në një protestë të organizuar nga OVL-UÇK, Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës dhe organizatat e tjera të dala nga lufta.
Protesta, e cila ka nisur nga ora 17:00, po mbahet nën moton “Kundër padrejtësisë” dhe synon të shprehë pakënaqësinë ndaj mbajtjes në paraburgim të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Sipas organizatorëve, që një ditë më parë mbajtën një konferencë për media, protesta është reagim ndaj, siç u tha, pranimit nga Gjykata Speciale të provave të ofruara nga tri institucione shtetërore të Serbisë, përkundër faktit se drejtuesit e atyre institucioneve janë dënuar më parë nga Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.
“Ky është një motiv shtesë për protestë. Është e papranueshme që institucione të njolla me krime dhe gjenocid kundër popullit tonë të shihen si burime të pranueshme të provave”, deklaroi Gazmend Syla nga organizata protestuese.
Organizatorët, përveç kundërshtimit ndaj veprimeve të Gjykatës Speciale, kanë ngritur edhe shqetësime për trajtimin që po u bëhet kategorive të luftës. Ata kanë përmendur mungesën e mbështetjes financiare, përjashtimin nga paga minimale dhe mungesën e një ligji që garanton ruajtjen e vlerave të UÇK-së.
Protesta është paralajmëruar si paqësore dhe ka gjetur mbështetje të gjerë nga subjekte politike, deputetë, organizata joqeveritare dhe qytetarë të shumtë.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe deputeti Rexhep Selimi, ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ata po gjykohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat janë deklaruar të pafajshëm. Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023.