Fluksi në kufi: Pritje deri në 40 minuta në dalje nga Kosova në pikën kufitare të Merdarës

07.08.2025

Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar të dhënat më të fundit për fluksin në pikat kufitare të Kosovës, të përditësuara më 7 gusht 2025, në orën 09:26.

Sipas raportit, në shumicën e pikave kufitare qarkullimi po zhvillohet normalisht, megjithatë ka disa pika ku pritjet janë më të gjata, veçanërisht në dalje nga territori i Kosovës.

Në pikën kufitare të Merdarës, pritjet në dalje arrijnë deri në 40 minuta, ndërsa kolonat shtrihen deri në 250 metra. Në hyrje, pritja është më e shkurtër dhe varion nga 3 deri në 5 minuta.

Situatë e ngjashme paraqitet edhe në pikën kufitare të Dheu i Bardhë, ku në dalje pritjet janë deri në 40 minuta, ndërsa kolona është rreth 450 metra. Në hyrje, pritja është nga 15 deri në 20 minuta.

Në pikën kufitare të Jarinjes, dalja paraqet pritje deri në 20 minuta me kolonë rreth 150 metra, ndërsa hyrja është më e qetë me vetëm 3 deri në 5 minuta pritje.

Ndërkohë, në pikat tjera kufitare si Bërnjak, Glloboçicë, Hani i Elezit, Kullë, Mutivodë, Qafë e Morinës dhe Stançiq, pritjet janë minimale dhe zakonisht nuk kalojnë 5 minuta në asnjërin drejtim.

Në Muçibabë dhe Vërmicë janë raportuar pritje mesatare prej 5 deri në 10 minuta, si në hyrje ashtu edhe në dalje. Qafë e Prushit mbetet ndër pikat me qarkullimin më të shpejtë, ku pritjet janë vetëm 1 deri në 2 minuta.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të informohen para udhëtimeve dhe të planifikojnë lëvizjet e tyre në përputhje me situatën në kufi, për të shmangur vonesat e mundshme.