Kryetari Muharremaj: Komuna e Suharekës e përkrahë protestën kundër padrejtsisë nga Gjykata Speciale
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka bërë një thirrje publike për qytetarët që të marrin pjesë në protestën gjithëpopullore të thirrur nga organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Përmes një deklarate, Muharremaj thekson rëndësinë e bashkimit të qytetarëve në përkrahje të luftës çlirimtare dhe kundër padrejtësive që, sipas tij, po u bëhen atyre që kontribuan për lirinë e vendit.
“Në emër të Komunës së Suharekës dhe si Kryetar i saj, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkohen në protestën gjithëpopullore kundër padrejtësisë, e cila organizohet nga kategoritë e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,” ka deklaruar Muharremaj.
Ai shton se kjo protestë duhet të shërbejë si një zë i përbashkët në mbrojtje të vlerave të luftës dhe të atyre që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës.
“Duhet të mbetet, zëri ynë i përbashkët për të mbrojtur të vërtetën e luftës sonë çlirimtare dhe për të kundërshtuar çdo padrejtësi që po u bëhet atyre që dhanë gjithçka për lirinë e Kosovës”, përfundon thirrja e kryetarit të Suharekës.