MPJD reagon pas arrestimit të Behar Preniqit nga autoritetet serbe, i bën thirrje BE-së të reagojë zëshëm

05.08.2025

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Republikës së Kosovës ka reaguar me shqetësim të thellë lidhur me, siç i cilëson, rastet gjithnjë e më të shpeshta të arrestimeve arbitrare dhe të paprovokuara të qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe.

Në një komunikatë për media, MPJD ka bërë të ditur se rasti i fundit është ai i Behar Preniqit, qytetar i Republikës së Kosovës, i cili është arrestuar ditën e djeshme në pikën kufitare Batrovci, në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë. Sipas MPJD-së, ky arrestim përfaqëson një tjetër dëshmi të praktikave destruktive dhe të papranueshme nga ana e autoriteteve serbe, të cilat bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat themelore të njeriut.

“MPJD konfirmon se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi, menjëherë pas kontaktit me familjen e Preniqit, është angazhuar përmes kanaleve diplomatike dhe zyrtare për të siguruar informacione të sakta dhe të plota lidhur me këtë rast”, thuhet në reagim.

Sipas njoftimit, Zyra Ndërlidhëse ka adresuar një kërkesë zyrtare ndaj autoriteteve serbe për të konfirmuar arrestimin dhe për të sqaruar arsyet e ndalimit. Po ashtu, rasti është përcjellë edhe te Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi dhe te misionet diplomatike të vendeve të Quint-it.

MPJD paralajmëron se nëse ndaj Preniqit vendoset masë paraburgimi dhe iniciohet procedurë penale, Zyra Ndërlidhëse do të kërkojë vizitë zyrtare në vendin e ndalimit.

Në fund të komunikatës, Ministria i bën thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimet nëpër territorin e Serbisë, për të ruajtur sigurinë dhe mirëqenien e tyre.

“I bëjmë thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të reagojë zëshëm dhe me vendosmëri ndaj praktikave represive të Serbisë, të cilat janë në kundërshtim me parimet themelore të të drejtës ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, përmbyllet reagimi i MPJD-së.