Tentoi të fuste katër orë luksoze me vlerë afro 50 mijë euro në Kosovë pa deklarim – kapet nga Dogana në Aeroportin e Prishtinës

01.08.2025

Dogana e Kosovës ka zbuluar mallra të padeklaruara me vlerë të lartë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, duke parandaluar një rast të shmangies nga detyrimet doganore.

Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur më 31 korrik 2025 rreth orës 10:30, kur gjatë arritjes së një fluturimi nga Londra, një udhëtar që kishte zgjedhur të kalojë përmes kanalit të gjelbër — i cili është i destinuar për udhëtarët që nuk kanë mallra për të deklaruar — është selektuar për kontroll nga zyrtarët doganorë.

Bazuar në analizën e rrezikut dhe kontrollin përmes skanerit, në bagazhin e udhëtarit janë gjetur katër orë dore të padeklaruara, me një vlerë të përgjithshme që kap shifrën prej mbi 45 mijë euro. Mallrat janë konfiskuar menjëherë dhe është inicuar procedura kundërvajtëse ndaj udhëtarit.

Dogana e Kosovës u bën thirrje të gjithë udhëtarëve që të respektojnë dispozitat ligjore në fuqi dhe të deklarojnë të gjitha mallrat me vlerë që kalojnë kufirin. Mosdeklarimi i tyre konsiderohet shkelje e ligjit dhe mund të rezultojë me konfiskim të mallrave, gjoba, dhe masa të tjera ndëshkuese.

Institucioni doganor rithekson përkushtimin e tij në forcimin e ligjshmërisë, mbrojtjen e ekonomisë së vendit dhe garantimin e transparencës në të gjitha proceset kufitare.