Vdekja e punëtorit në Prizren, Sindikata ngre alarmin: Punëtori i 21-të që humb jetën në 7 muaj
Një tjetër humbje jete tragjike ka ndodhur në vendin e punës në Kosovë.
Viktima e fundit është një punëtor rreth 40 vjeç nga Drenasi, i identifikuar me inicialet N.Xh., i cili humbi jetën pas rënies nga lartësia gjatë kryerjes së punimeve në kulmin e një ndërtese në Prizren.
Sipas raportimeve, N.Xh. u dërgua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, mirëpo përkundër përpjekjeve të mjekëve, ai nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra.
Pas kësaj ngjarjeje tragjike, ka reaguar Federata Sindikale e Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat të Kosovës, e cila thekson se kjo është vdekja e 21-të në vendin e punës vetëm për shtatë muajt e parë të vitit 2025. Sindikata e konsideron këtë situatë si alarmante dhe si periudhën më të zezë që nga paslufta.
“Sot varrosim punëtorin e 21-të, vetëm për 7 muajt e parë të këtij viti. 2025-a ka filluar me periudhën më fatkeqe që nga pas lufta. Nga janari deri më sot, përcjellim 21 jetë të punëtorëve të cilët shkuan për të fituar ndershëm bukën e gojës, por fatkeqësisht 21 familje mbeten pa babën, burrin, vëllaun, fëmijën e tyre”, thuhet në reagimin e tyre.
Më tej, Federata kritikon institucionet për mosreagim dhe neglizhencë, duke kërkuar që së paku të ofrohet pension i dinjitetshëm për familjet e viktimave.
“Pas shumë kërkesave për institucionet shtetërore që të ulemi dhe bisedojmë për këto raste, pushteti ka zgjedhur injorimin e kërkesave sindikale. Kemi kërkuar që në raste të tilla ajo çka më së paku mund të bëjë pushteti, të ketë një pension solid për këto familje, sepse edhe fëmijët e këtyre familjarëve kanë të drejtë në ekzistencën minimale të jetës së tyre”, thuhet në reagim.
Rritja alarmante e rasteve të vdekjeve në vendin e punës po ngre alarmin për sigurinë në sektorin privat dhe nevojën për një përgjigje serioze institucionale.