Flet mjeku që e trajtoi 35-vjeçarin në Suharekë: U soll pa shenja jete, kishte gjakderdhje masive

01.09.2025

Një ngjarje tragjike ka ndodhur këtë të hënë në fshatin Mushtisht të Suharekës, ku një 35-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti në vendin e punës.

Sipas dyshimeve të para, ai është goditur rëndë në kokë nga një vinç dhe ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Ekipi i Klan Kosovës ka intervistuar mjekun e Qendrës Emergjente në Suharekë, Blend Morina, i cili ka treguar se pacienti është sjellë në urgjencë pa shenja jete.

“Fillimisht pacienti është sjellur nga punëtorët që kanë qenë në vendin e ngjarjes. Ai është sjellë në urgjencë pa shenja jete, si pasojë e lëndimit të punës. Në ekzaminimin objektiv është vërejtur një lëndim i hapur në kokë, me gjakderdhje masive. Gjithashtu, gjakderdhja ka qenë edhe nga pjesa e hundës dhe e veshëve”, deklaroi Morina.

Ai shtoi se ekipi mjekësor ka tentuar të ndërhyjë menjëherë për të shpëtuar jetën e të lënduarit, por për shkak të gjakderdhjes së bollshme dhe dëmtimit të rëndë, reanimacioni nuk solli rezultat.

“Fillimisht kemi filluar me lirimin e rrugëve të frymëmarrjes, por për shkak të sasisë së bollshme të gjakut nuk kemi mundur ta bëjmë intubimin. Pastaj kemi filluar me adrenalinë intravenoze dhe reanimacion sipas protokollit. Megjithatë, nuk kemi marrë asnjë reagim pozitiv nga ana e pacientit dhe nuk kemi arritur ta stabilizojmë gjendjen e tij”, theksoi ai.