Elezi: Edhe dy javë kohë për dorëzimin e listës së kandidatëve për Zgjedhjet Lokale, të gjithë do të verifikohen

31.07.2025

Subjektet politike në Kosovë kanë afat vetëm edhe dy javë për të dorëzuar aplikimet dhe listat me emrat e kandidatëve për Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit 2025.

Ky afat, i cili ka filluar më 26 qershor, do të përfundojë më 13 gusht, dhe të gjitha partitë, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur duhet të veprojnë brenda kësaj periudhe nëse duan të certifikohen për pjesëmarrje.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka konfirmuar se subjektet politike duhet të dorëzojnë jo vetëm aplikimin për certifikim, por edhe listat me emrat e kandidatëve për kryetarë komunash dhe për anëtarë të kuvendeve komunale.

“Afati i fundit për aplikim online në KQZ për certifikimin e subjekteve politike që duan të marrin pjesë në Zgjedhjet Lokale është data 13 gusht. Brenda këtij afati, subjektet politike duhet të dorëzojnë edhe listën me emrat e kandidatëve”, theksoi Elezi.

Subjektet kanë të drejtë të vendosin në cilat komuna do të garojnë dhe nëse do të marrin pjesë vetëm në garën për kryetar komune, vetëm për kuvend komunal apo për të dyja njëkohësisht.

Në të njëjtën kohë, Elezi ka theksuar se verifikimi i kandidatëve do të jetë i detajuar dhe në përputhje me dispozitat ligjore të përcaktuara në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe në Ligjin për Zgjedhjet Lokale. Sipas nenit 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, kandidatët që kanë qenë të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë gjatë tre viteve të fundit për vepra penale me një ose më shumë vjet burgim, nuk mund të certifikohen. Po ashtu, ndalohet kandidimi për ata që nuk kanë paguar gjoba apo nuk i janë përmbajtur vendimeve të PZAP-it apo KQZ-së.

Sipas Ligjit për Zgjedhjet Lokale, konkretisht nenit 9, kandidatët për kryetar komune duhet të kenë qenë banorë të komunës për së paku tri vite para kandidimit.

Procesi i verifikimit të kandidatëve do të bëhet në bashkëpunim me institucione të ndryshme, përfshirë Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGjK), i cili do të ndihmojë në kontrollin e të kaluarës penale të secilit kandidat në përputhje me ligjin.

Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit 2025 janë të tetat me radhë për kuvendet komunale dhe të gjashtat për kryetarët e komunave në Kosovë. KQZ bën thirrje që të gjitha subjektet politike të veprojnë me kohë për të përmbushur të gjitha detyrimet ligjore që u mundësojnë pjesëmarrjen në këtë proces zgjedhor.