809 qytetarë të punësuar në veri përmes masës “Qeveria për Familjet” – ende mbi 1,000 vende të lira pune
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka bërë të ditur se 809 qytetarë janë punësuar deri më tani në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut përmes masës për mbështetjen e punësimit “Qeveria për Familjet”.
Kjo masë synon nxitjen e punësimit në këto katër komuna duke subvencionuar deri në 70% të pagës bruto për një periudhë prej 6 muajsh, në kuadër të përpjekjeve për fuqizim ekonomik dhe integrim të qytetarëve në tregun e punës.
Sipas njoftimit të ministrisë, interesimi nga ana e bizneseve ka qenë i madh, dhe aktualisht janë të hapura mbi 1,000 vende të lira pune, të cilat presin të plotësohen nga punëkërkues të regjistruar në Zyrat e Punësimit.
Autoritetet kanë ftuar të gjithë qytetarët që jetojnë në këto komuna të regjistrohen në Zyrat e Punësimit, në mënyrë që të përfitojnë nga kjo mundësi e mbështetur nga Qeveria e Kosovës.