I riu nga Malisheva dërgohet pa shenja jete në QKMF, policia nis hetimet

30.07.2025

Një ngjarje e rëndë është raportuar sot në mëngjes në Malishevë, ku një person është dërguar pa shenja jete në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) rreth orës 09:15. Sipas informatave zyrtare nga Policia e Kosovës, viktima është transportuar në këtë qendër nga familjarët e tij.

Menjëherë pas pranimit të rastit, njësitet përkatëse policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë filluar veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e vdekjes.

Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është hapur rast me inicialet “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për ekzaminim mjeko-ligjor, në kuadër të procedurave standarde të ndjekura në raste të tilla.

Hetimet janë duke u zhvilluar nga Njësia për Hetimin e Krimeve e ZIMP – Gjakovë, ndërkohë që autoritetet nuk kanë dhënë ende informacione shtesë lidhur me shkaqet apo rrethanat që mund të kenë çuar në vdekjen e të riut.