Person i moshuar gjendet pa shenja jete në Prizren, Policia kërkon ndihmë për identifikim

26.03.2026

Një person i moshuar është gjetur pa shenja jete në rrugën “Edit Durham” në Prizren, ndërsa Policia e Kosovës ka bërë thirrje për ndihmë nga qytetarët për identifikimin e tij.

Rasti ka ndodhur më 26 mars 2026, rreth orës 11:36, kur autoritetet kanë pranuar informacion nga ekipi i Urgjencës për një person të shtrirë pa shenja jete në rrugë.

Njësitet policore, së bashku me hetuesit dhe ekipin e krim-teknikës, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, pranë banesave të ish TMK-së.Sipas të dhënave fillestare, viktima është një mashkull rreth 70 vjeç, identiteti i të cilit ende nuk dihet.

Mjekët kanë konstatuar se ai kishte ndërruar jetë rreth 2 deri në 3 orë para mbërritjes së tyre, ndërsa nuk janë vërejtur shenja që sugjerojnë vdekje të dhunshme.

Me vendim të prokurorit të shtetit, rasti është iniciuar si “hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekzaminime të mëtejshme.

Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që mund të kenë informacion lidhur me identitetin e viktimës, të kontaktojnë stacionin më të afërt policor ose të telefonojnë në numrin emergjent 192.