Vazhdojnë kërkimet për 33-vjeçarin që dyshohet se u mbyt në liqenin e Ujmanit

28.07.2025

Njësitet policore dhe ekipet e kërkim-shpëtimit janë ende në terren për të gjetur një 33-vjeçar, i cili dyshohet se është mbytur në Liqenin e Ujmanit, pasditen e së dielës.

Sipas konfirmimeve nga Policia e Kosovës, rreth orës 14:30 të ditës së djeshme, viktima dyshohet se është hedhur nga ura për t’u larë në liqen dhe nuk është parë më duke dalë në sipërfaqe.

Shefi i operativës rajonale në Mitrovicën e Veriut, Petrit Fejza, ka deklaruar se në vendin e ngjarjes janë të pranishme njësitë policore dhe ekipet e emergjencës, ndërsa është thirrur edhe njësia e zhytsave për të ndihmuar në kërkimet nën ujë.

Në operacion janë angazhuar edhe njësitet e Shoqatës për Kërkim-Shpëtim të Kosovës, të cilët po punojnë në bashkëpunim të ngushtë me institucionet përkatëse dhe ekipet e specializuara të zhytjes.

“Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim është angazhuar sot, më 27 Korrik 2025, në operacionin e kërkimit në Liqenin e Ujmanit për identifikimin dhe gjetjen e një personi 33-vjeçar, i cili dyshohet se është mbytur. Kanë kaluar tashmë 24 orë që kur nuk dihet asgjë për fatin e mërgimtarit”, thuhet në njoftimin e Shoqatës.

Derisa rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta, autoritetet kanë bërë të ditur se operacioni për gjetjen e tij do të vazhdojë pa ndërprerje, deri në gjetjen e trupit.

Ekipet e angazhuara janë duke punuar me përkushtim në këtë operacion të ndjeshëm, duke shfrytëzuar të gjitha mjetet dhe kapacitetet në dispozicion.