Dosja e Prokurorisë: Zyrtarët e Agjencisë Kadastrale dhe Arkivave dyshohen për dëm prej 15 milionë euro

18.07.2025

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë zyrtarëve të institucioneve shtetërore, të cilët dyshohen për përfshirje në një rast të gjerë të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe tjetërsimit të pronës shoqërore në lagjen Veternik të Prishtinës, pronë e ish-Radio Televizionit të Prishtinës (RTP).

Sipas dosjes së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, dëmi i shkaktuar përllogaritet të jetë rreth 15 milionë euro.

Të dyshuarit janë: Zelije Shala, Mehdi Bahtiri dhe Veton Bytyqi nga Agjencia e Arkivave të Kosovës, si dhe Bashkim Shaqiri dhe Mejreme Bajrami nga Agjencia Kadastrale e Kosovës. Ata u arrestuan më 16 korrik 2025, gjatë një aksioni të përbashkët të Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës, konkretisht Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

Sipas Prokurorisë, gjatë vitit 2021, zyrtarët e Agjencisë së Arkivave dyshohet se kanë vendosur në mënyrë të kundërligjshme në arkiv dokumentin “Aktgjykimi P.br.56/57 i datës 28.04.1976”, i cili, sipas hetimeve, është i falsifikuar. Ky dokument nuk është dorëzuar zyrtarisht nga Gjykata e Prizrenit, por është arkivuar dhe më pas vulosur si origjinal, gjë që i ka dhënë legjitimitet të rremë për përdorim në procedura kadastrale.

Pas legalizimit të dokumentit të dyshuar si të falsifikuar, ky i fundit është zhdukur nga arkivi. Sipas Prokurorisë, kjo i ka mundësuar të pandehurve Slavica Mikic dhe Venhar Hana të kërkojnë regjistrimin e një prone prej mbi 39 mijë metrash katrorë në Veternik në emër të Mikic, edhe pse ajo vetë ka deklaruar më vonë se as ajo dhe as babai i saj nuk kanë pasur ndonjëherë pronë në Kosovë dhe se nuk kanë marrë pjesë në ndonjë seancë gjyqësore për këtë çështje.

Nga ana tjetër, Bashkim Shaqiri dhe Mejreme Bajrami, zyrtarë në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, sipas dosjes së Prokurorisë, në maj të vitit 2022 kanë miratuar kërkesën për regjistrimin e pronës në emër të Slavica Mikic, pavarësisht dy herë refuzimit të mëparshëm nga Zyra Kadastrale në Prishtinë dhe vërejtjeve për mungesë kompetence territoriale të aktgjykimit të përdorur si bazë.

Në dosje thuhet se përmes këtij vendimi, pronësia e një prone shoqërore është bartur nga AKP-ja te një person privat, për t’u shitur më pas tek një numër i madh blerësish. Prokuroria thekson se veprimet e zyrtarëve kanë mundësuar përfitime financiare të konsiderueshme nga palët e përfshira dhe kanë sjellë humbje të mëdha për shtetin.

Mejreme Bajrami, njëra nga të dyshuarat, ka qenë e përfshirë edhe në një rast tjetër për pronën në Veternik prej mbi 9 hektarësh, që ka qenë objekt i hulumtimit nga “Betimi për Drejtësi”. Ajo thuhet se është e afërme me gruan e të dyshuarit tjetër, Afrim Gashi, për të cilin po ashtu po zhvillohen hetime për çështje të ngjashme.

Edhe avokati Venhar Hana, i cili ka qenë përfaqësues në disa prej këtyre rasteve, është subjekt i hetimeve për pronat e fituara përmes pretendimeve për dokumente të falsifikuara dhe është arrestuar në qershor së bashku me Dritmir Islamin. Të dyve iu është vazhduar masa e paraburgimit më 9 korrik për edhe dy muaj të tjerë.

Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit duke theksuar se ekziston rreziku që të dyshuarit mund të ndikojnë në rrjedhën e hetimeve, të koordinojnë deklarata mes vete, apo të ndikojnë te dëshmitarët, pasi disa prej tyre ende nuk janë dëgjuar. Në dosje theksohet se dokumenti i falsifikuar është zhdukur nga Arkiva e Kosovës, çka sipas Prokurorisë, është një veprim që dëshmon përpjekje për fshehje provash.

Gjithashtu, për shkak të pozitave të tyre zyrtare dhe peshës së veprës penale – me një dëm të pretenduar prej 15 milionë euro – Prokuroria konsideron se asnjë masë tjetër përveç paraburgimit nuk garanton zhvillimin e paanshëm dhe të papenguar të procedurës.

Hetimet për rastin janë në zhvillim e sipër. Deri në një vendim përfundimtar të gjykatës, të dyshuarit gëzojnë prezumimin e pafajësisë.