Osmani: Trump foli qartë, unë nuk shtova asgjë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një deklaratë për media, ka komentuar mbi deklaratat e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.
Osmani theksoi se komentet e Trump – i cili së fundmi ka thënë disa herë se e ka parandaluar një konflikt të mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë – janë publike dhe shumë të qarta. Ajo mohoi të ketë bërë ndonjë interpretim të deklaratave të tij, duke shtuar se reagimi i saj ishte një vlerësim pozitiv për rolin e Trump-it.
“Atë deklaratë mund ta dëgjoni vetë. S’kam nevojë as ta interpretoj, as të shtojë diçka shtesë. Thuhet brenda pak muajsh kemi arritur paqe… kam treguar si e kam kuptuar unë si Presidente. E vlerësojmë rolin e Presidentit Trump si paqebërës,” deklaroi Osmani.
Nga ana tjetër, Richard Grenell reagoi ashpër duke e quajtur “manipulim” përmendjen nga Osmani se Trump ka parandaluar një konflikt “javët e fundit” mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se këto deklarata janë të pavërteta dhe se presidenti Trump, sipas tij, i është referuar periudhës së Marrëveshjes së Washingtonit. “Turp për Vjosa Osmanin që manipuloi fjalët e Presidentit Donald Trump,” u shpreh Grenell.
Përveç kësaj, Presidentja Osmani foli edhe për çështjet e sigurisë. Ajo tha se në fund të majit, institucionet e sigurisë kanë pranuar informacione specifike për tendenca destabilizuese nga ana e Serbisë ndaj Kosovës. Sipas saj, propaganda dhe gënjeshtrat nga Beogradi janë të vazhdueshme, por siguroi qytetarët se nuk ka vend për panik.
“Institucionet tona kanë gjithçka nën kontroll,” tha Osmani, duke shtuar se qytetarët janë informuar rregullisht dhe përmendi deklaratat e ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, si shembull të transparencës institucionale.