Trump: Nafta venezueliane do të përdoret për të rimbushur rezervat strategjike të SHBA-së

30.08.2026

Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë të ditur se Shtetet e Bashkuara planifikojnë të rimbushin Rezervën Strategjike të Naftës me naftë nga Venezuela.

Deklarata e Trump vjen pas marrëveshjes së njoftuar të premten mes Uashingtonit dhe Karakasit, e cila i jep SHBA-së rol të rëndësishëm në shfrytëzimin e rezervave të naftës së Venezuelës, të vlerësuara në më shumë se 65 miliardë fuçi.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Trump tha se procesi i rimbushjes së rezervave amerikane do të nisë së shpejti. Ai e cilësoi naftën venezueliane si një “dhuratë nga Venezuela për popullin e Shteteve të Bashkuara”.

Trump kritikoi edhe ish-presidentin Joe Biden, duke pretenduar se gjatë administratës së tij rezervat strategjike amerikane ishin ulur ndjeshëm.

Rezerva Strategjike e Naftës e SHBA-së është përdorur vitet e fundit për të përballuar ndërprerjet e furnizimit dhe presionin mbi çmimet e karburanteve në tregjet globale.