Malisheva kërkon përmbysjen në Islandë kundër Vikingur Reykjavik

16.07.2025

FC Malisheva do të zhvillojë nesër në mbrëmje një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e klubit, teksa në udhëtim përballet me Víkingur Reykjavik në ndeshjen kthyese të raundit të parë kualifikues të UEFA Europa Conference League.

Pas disfatës minimale 0-1 në ndeshjen e parë të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, skuadra kosovare ka mbërritur në Islandë me synimin e qartë për të përmbysur rezultatin dhe për të vazhduar më tej aventurën në garat evropiane.

Pavarësisht humbjes në shtëpi, Malisheva ka treguar karakter dhe besim se mund të reagojë në sfidën e kthimit. Trajneri dhe stafi teknik kanë përgatitur skuadrën në mënyrë të detajuar, duke udhëtuar me formacionin më të mirë të mundshëm për këtë përballje të rëndësishme.

Nga ana tjetër, Víkingur Reykjavik, që shënoi golin e vetëm në takimin e parë, do të kërkojë të konfirmojë kualifikimin para tifozëve të vet në Reykjavik. Skuadra islandeze vjen në këtë ndeshje me moral të lartë, por gjithashtu me vetëdijen se përballë ka një kundërshtar të vendosur dhe të motivuar për të bërë befasinë.

Tifozët e Malishevës dhe futbolli kosovar presin me emocion zhvillimin e kësaj sfide, e cila pritet të jetë intensive dhe me shumë tension, pasi në lojë është një vend në raundin e dytë kualifikues të Conference League.