Arlind Veliu i FC Malishevës më i miri i javë së 16-të në Superligë

08.12.2025

Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ka vazhduar traditën e ndarjes së çmimit prestigjioz “Ylli i Javës”, i cili u dedikohet futbollistëve më të dalluar të javës në elitën e futbollit kosovar.

Për javën e gjashtëmbëdhjetë të këtij edicioni, ky vlerësim i rëndësishëm i është ndarë futbollistit të FC Malisheva, Arlind Veliu, i cili shkëlqeu me një paraqitje mbresëlënëse përgjatë 90 minutave të ndeshjes.

Edhe pse luan në pozitën e mbrojtësit, Veliu arriti të shënojë dy gola vendimtarë, duke i siguruar Malishevës fitoren e pastër 2:0 kundër FC Drenica. Performanca e tij e jashtëzakonshme ishte çelësi i këtij triumfi, ndërsa vlerësimi për të u bë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.

Pas marrjes së çmimit, Veliu u shpreh i lumtur dhe i motivuar nga ky vlerësim:

“Nuk e kemi nisur kampionatin në mënyrën më të mirë, por megjithatë me trajnerin e ri po mundohemi të përmirësojmë lojën dhe të kuptojmë filozofinë e tij. Ambiciet tona janë tre vendet e para të tabelës dhe dalja në Evropë. E kemi ditur që kemi pasur një ndeshje të vështirë kundër Drenicës dhe mendoj se ia kemi dalë ta përgatisim mirë dhe të shënojmë fitore.”

Ai shtoi se gëzimi i tij është edhe më i madh pasi arriti të kontribuojë drejtpërdrejt në rezultat:

“Në aspektin personal, gëzohem që kam mundur të ndihmoj ekipin me dy gola dhe për këtë i falënderoj bashkëlojtarët e mi për angazhimin.”

Me këtë paraqitje dhe çmim të merituar, Arlind Veliu konfirmon formën e tij të shkëlqyer dhe rolin e rëndësishëm që ka në skuadrën e FC Malisheva.