Prokuroria e Prizrenit kërkon paraburgim për të dyshuarin për fajde dhe bixhoz të paligjshëm
Prokuroria Themelore në Prizren ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore të Prizrenit për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të pandehurit A.H., i cili dyshohet për kryerjen e dy veprave penale të rënda: “Fajdeja” dhe “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas hetimeve paraprake, A.H., gjatë një periudhe nga një datë e pavërtetuar në vitin 2024 e deri më 10 korrik 2025, ka përfituar në mënyrë të paligjshme nga gjendja e rëndë financiare e të dëmtuarit S.M., duke i ofruar hua në shumë prej 800 euro, të cilën më pas e ka shndërruar në një borxh prej 5.500 euro, përmes interesave të larta dhe presionit psikologjik.
I dëmtuari ka arritur të paguajë 900 euro në tre muaj, por nuk kishte mundur të shlyente të gjithë borxhin. Gjatë një marrëveshjeje për pagesë më 10 korrik 2025, në lagjen “Bazhdaranë” të Prizrenit, në momentin që dorëzoi shumën prej 5.000 euro, i pandehuri u arrestua në flagrancë nga Policia e Kosovës.
Po ashtu, A.H. dyshohet se ka organizuar bixhoz të paligjshëm, duke e përfshirë të dëmtuarin në veprimtari bastesh online, përmes një programi që i ishte ofruar në këmbim të shumës fillestare – një veprimtari e ndaluar me ligj.
Sipas Prokurorisë, këto veprime përmbushin elementet e veprave penale të “fajdesë” (neni 331) dhe “organizimit të bixhozit të paligjshëm” (neni 294) të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Themelore në Prizren ka theksuar përkushtimin e saj të vazhdueshëm në luftën kundër kriminalitetit financiar dhe garantimin e sundimit të ligjit, duke ndjekur penalisht të gjithë ata që cenojnë të drejtat e qytetarëve dhe ligjin në fuqi.