Kosova dhe Belgjika forcojnë bashkëpunimin ushtarak në Bruksel

03.07.2025

Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar sot një takim të rëndësishëm në Bruksel me homologun e tij belg, Theo Francken.

Takimi vjen në një moment kur bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës po hyn në një fazë të re të thellimit institucional dhe ushtarak, me fokus të veçantë në integrimin euroatlantik të vendit.

Në deklaratën për media pas takimit, ministri Maqedonci theksoi rëndësinë e njohjes zyrtare të pranisë së Atasheut të Mbrojtjes së Kosovës në Bruksel, duke e cilësuar këtë si një hap strategjik drejt afrimit me NATO-n dhe Bashkimin Evropian.

“Shteti i dy destinacioneve kryesore të vendit tonë, NATO-s dhe Bashkimit Evropian, po e njeh praninë e Atasheut të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës në Bruksel, gjë që na jep mundësinë për të thelluar bashkëpunimin me Belgjikën si një vend partner,” deklaroi Maqedonci.

Ai theksoi gjithashtu se marrëdhëniet me ministrin belg Theo Francken janë të jashtëzakonshme dhe se Belgjika vazhdon të jetë një ndër mbështetëset më të fuqishme të Kosovës, si në fazën e çlirimit, ashtu edhe në zhvillimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse.

“Ne kemi rigjeneruar dhe po rigjenerojmë shumë mundësi bashkëpunimi mes Belgjikës dhe Kosovës… janë vendosur prioritetet me të cilat do të bashkëpunojmë me Belgjikën si një aleat,” shtoi Maqedonci, duke përmbyllur fjalën me falënderime të veçanta për mbështetjen e vazhdueshme belge.

Nga ana e tij, ministri belg Theo Francken vlerësoi vendimin për vendosjen e Atasheut të Mbrojtjes së Kosovës në Bruksel si një akt me rëndësi strategjike, si për sigurinë e Kosovës, ashtu edhe për marrëdhëniet me NATO-n.

“Belgjika ka qëndrim të qëndrueshëm si shtet për të mbajtur Kosovën të sigurtë, pasi që ju jeni në Evropë dhe jeni evropianë,” tha Francken. “Prandaj kemi marrë këtë vendim për të pasur një Atashe të Mbrojtjes sa më shpejt të jetë e mundur në Bruksel, në kryeqytetin e NATO-s.”

Francken theksoi se prania e Kosovës në Bruksel përmes këtij kanali diplomatik-ushtarak është jetike për zhvillimin e mëtejshëm të sigurisë dhe integrimit ndërkombëtar të vendit.

Ky takim përforcon pozicionin e Kosovës si një partner i besueshëm në skenën ndërkombëtare dhe shënon një hap konkret drejt forcimit të lidhjeve me aleatët strategjikë në kuadër të strukturave euroatlantike.