Operacioni i kërkim-shpëtimit në Gorozhup përfundon me sukses – Gjetet i gjallë personi i zhdukur
Fshati Gorozhup në Komunën e Prizrenit ka qenë skena e një operacioni intensiv kërkim-shpëtimi, i cili është përmbyllur me sukses.
Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim (SHKKSH) ka njoftuar se personi i raportuar si i zhdukur, me inicialet N.T., është gjetur i gjallë dhe në gjendje të mirë shëndetësore.
“Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim njofton se operacioni i kërkim-shpëtimit në fshatin Gorozhup, Komuna e Prizrenit, ka përfunduar me sukses. Personi i raportuar si i zhdukur, me inicialet N.T., është gjetur i gjallë dhe në gjendje stabile shëndetësore,” thuhet në njoftimin zyrtar të SHKKSH-së.
Operacioni u zhvillua me angazhim të madh dhe bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional. Përveç ekipeve të SHKKSH-së, në këtë aksion morën pjesë edhe Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) dhe Policia e Kosovës, të cilat kontribuan ndjeshëm në lokalizimin dhe shpëtimin e personit të zhdukur.
Ky operacion vjen si dëshmi e profesionalizmit dhe koordinimit efektiv të institucioneve në përballjen me situata emergjente, duke e përmbyllur me një rezultat të gëzueshëm për familjen dhe komunitetin lokal.